Çfarë më mësoi mua rrugëtimi drejt memorizimit të Kur’anit

Në emrin e All-llahut, paqja dhe mëshira qofshin mbi të Dërguarin e All-llahut.
Falënderimi i takon All-llahut për mirësitë e Tij të shumta që i ka derdhur mbi ne, e për këtë mexhlis të hajrit.
Shpreh mirënjohje të thellë ndaj mësueseve të mia të cilat All-llahu i ka bërë shkak të afrimit, njohjes, praktikimit, punëve të hajrit në këtë fe. Veçoj mësuesen e dashur e të durueshme, Zahide, e cila bëri atë çka pak njerëz e kanë bërë me mua, besoi. Besoi tek unë, e kjo ishte motivi për përpjekjen time në këtë synim, memorizimin e Kur’anit. Kurrë s’kam besuar që do mbërrij në këtë dëshirë, pikësynim, por Bujaria dhe Mirësia e All-llahut është e madhe.
Shoqërimi i përditshëm me Kur’anin është sikurse ushqimi për trupin, i domosdoshëm, por frytet e tij pasi kalon koha i vëren, kështu edhe Kur’ani; veç në përmbyllje të memorizimit të tij u ndala dhe kuptova se sa shumë ka ndikuar në mua, pasi robi shpesh-herë është i pavëmendshëm. Laitmotiv për mua gjithnjë ka qenë ajeti në suren Inshikak:
“O ti njeri , vërtetë ti përpiqesh me një përpjekje të madhe që të çon te Zoti yt, e atë do ta gjesh”.
Jam kapur fortë në të, ashtu sikurse All-llahu i Lartësuar thotë në suren Al-Imran: “Dhe kapuni të gjithë për litarin e All-llahut e mos u përçani”.
Më mësoi Kur’ani, të bëj durim, se dija pa të nuk realizohet, ai nuk mësohet pa u përpjekur, pa sakrifikuar gjumin, shëtitjet e çdo gjë tjetër të kësaj bote. Më mësoi të ec ngadalë nëpër ajete e të përsiatem të gjejë thesaret në të, pasi ai ne na drejtohet edhe në tregimet e shkuara. Më mësoi se: kush i frikësohet All-llahut, Ai i jep rrugdalje. E si të dëshprohem unë?
Se shoku i mirë bëhet shoqëruesi yt në Xhennet, e shoku i keq shoqërues, apo shkak për futjen në zjarr.
Më mësoi surja Zummer që do futen njerëzit grupe-grupe në Xhennet, e si të mos qëndroj me ata besimtarë që më afrojnë me All-llahun.
Për herë të parë në jetën time provova lumturinë e vërtetë, të plotë, të papërshkruar me fjalë, por lotët e gëzimit shprehnin gjithçka. Bashkë me të u rrit përgjegjësia, pasi bartësi i Kur’anit dhe ai në rrugë të memorizimit të tij duhet të dallojnë në moralin e tyre, sjelljen e tyre. Ne kurrë nuk do e arrijmë cakun, pasi kjo fe është pa cak, por së paku të punojmë sinqerisht e të vdesim duke shpresuar shikimin e fytyrës madhështore të All-llahut.
E lus All-llahun që ashtu sikurse ju, prezantuat në këtë gëzim timin, edhe për ju u gëzofshim sa më parë. Kështu qofshim së bashku në Xhennet, duke e rikujtuar këtë takim.
Falënderimi i takon All-llahut!
Z.S